Një mbrëmje magjike për futbollin shqiptar dhe veçanërisht për Dinamon e Tiranës. Skuadra e Ilir Dajës shkroi historinë në stadiumin “Air Albania”, duke mposhtur 3-1 pas 120 minutash gjigantët e Hajdukut të Splitit dhe duke siguruar për herë të parë në histori kalimin e dy tureve në garat evropiane.
Pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë në Kroaci, “Blutë” hynë në fushë me besim dhe vendosmëri. Në minutën e 14-të, Zabërgja, pas një asistimi të saktë nga Bregu, ndezi festën në shkallët e stadiumit. Në minutën e 78-të, Hajduku mbeti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Sanyang, por koha e rregullt u mbyll 1-0, duke çuar sfidën në shtesa.
Emocionet u shtuan kur në minutën e 99-të kroatët barazuan me Karacic, duke ngrirë për një moment tifozët vendas. Por Dinamo reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme: në minutën e 109-të, Qardaku lëshoi një goditje spektakolare nga 25 metra, duke rikthyer avantazhin. Pesë minuta më vonë, Hekuran Berisha vulosi fitoren historike me golin e tretë, duke çuar peshë stadiumin.
Në fund, festë e madhe për Dinamon dhe tifozët e saj, me strategun Ilir Daja që regjistron kualifikimin e 14-të në karrierë. Kështu, Dinamo eliminon Hajdukun e Splitit dhe në play-off të Conference League do të përballet me polakët e Jagiellonia, duke synuar një tjetër faqe të artë në historinë e klubit.