Klienti “xhindoset” nga vonesa e porosisë, shkatërron vitrinën e pastiçerisë në Durrës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.08.2025, 20:03

Një skenë e papranueshme dhune është regjistruar mesditën e sotme, rreth orës 13:00, në pastiçerinë “Pelikani” pranë zonës së “Vollgës” në Durrës. Një klient, i irrituar për një vonesë në porosinë e tij, ka humbur kontrollin dhe ka shkaktuar dëme materiale, duke vënë në siklet dhe frikësuar stafin e lokalit.

Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur personi në fjalë, pas një debati me punonjësen, në mënyrë të papritur shtyn dhe rrëzon në dysheme një pajisje elektronike që ndodhet mbi banakun e kasës. Menjëherë pas këtij veprimi, ai shkatërron vitrinën e ëmbëlsirave, duke e shtyrë me forcë dhe duke rrëzuar përtokë produktet që ndodheshin mbi të.

Sjellja e tij e dhunshme dhe e befasishme shkakton shqetësim dhe panik te punonjësit dhe klientët e tjerë që ndodheshin aty.

Sipas informacioneve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, dyshohet se personi mund të jetë punonjës në një zyrë ose pranë Portit të Durrësit, por identiteti i tij ende nuk është konfirmuar.

Punonjësit e pastiçerisë kanë denoncuar ngjarjen në polici, ndërsa komuniteti lokal ka reaguar ashpër duke dënuar një sjellje të tillë agresive për një arsye kaq të parëndësishme si vonesa e porosisë.

Ky incident tregon edhe një herë se dhuna nuk ka vend në asnjë ambient publik dhe se konfliktet duhet të zgjidhen me dialog, jo me shkatërrim dhe frikësim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit