Në një vend ku vjedhja po bëhet sport kombëtar, nga sendet më të parëndësishme deri te ato me vlerë, duket se as telefoni i harruar në stol nuk ka më shpresë të mbijetojë.
Në Pogradec, një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë një rast tipik të “përvetësimit të menjëhershëm”. Në pamjet e siguruara shihen tre burra që i afrohen një telefoni të harruar, e shohin, e marrin dhe e fikin një proces kaq i natyrshëm sikur po merrnin mjetin e tyre personal.
Sigurisht, nuk pati vend për gjest fisnik si për shembull ta linin në vend, ta çonin në polici apo të prisnin një telefonatë nga pronari. Jo, reagimi ishte i shpejtë dhe i prerë: “më mirë në xhepin tim”.
Qytetari i bën thirrje tre burrave që shfaqen në pamje të kthejnë telefonin, përndryshe video do të përfundojë në duart e policisë.
Mesazhi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, Sot (13 gusht), rreth orës 18:00, në Pogradec, më është marrë telefoni. Ju lutem, nëse keni mundësi ta postoni, i bëj thirrje personit që e ka marrë ta kthejë përsëri në vendin ku e mori, në mënyrë që videoja të mos përfundojë në polici.