220 mijë euro për platformën e çerdheve të vëllait të Gjiknurit, sistemi i bllokuar

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14.08.2025, 15:19

Bashkia Tiranë ka paguar 22.2 milionë lekë (rreth 220 mijë euro) kompanisë KREATX sh.p.k., ku ortak me 30% është Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-ministrit Damian Gjiknuri, për krijimin e platformës së regjistrimit të fëmijëve në çerdhe e kopshte.

Sipas të dhënave zyrtare, pagesat janë kryer në 7 transaksione gjatë periudhës 27 maj – 3 qershor 2025, për projektin dhe mirëmbajtjen e faqes e-femijet.tirana.al. Vetëm më 29 maj janë paguar 21.6 milionë lekë për projektin, ndërsa prindërit nuk mund të aplikonin online pasi sistemi jepte gabimin “SSL Handshake Failed” për më shumë se një muaj.

Në vend që bashkia të pezullonte pagesat ose të kërkonte penalitete, më 3 qershor u paguan edhe 1 milion lekë të tjera për “mirëmbajtje”, ndonëse platforma nuk funksiononte.

Ekstrakti i QKB-së tregon se Panajot Gjiknuri zotëron 10 milion lekë kapital (30%) në KREATX, ndërsa dy ortakët e tjerë mbajnë nga 35% secili. Kontrata e majme publike, e dhënë nga një bashki e drejtuar nga e njëjta forcë politike me vëllain e ortakut, ngre dyshime serioze për favorizim dhe konflikt interesi.

Bashkia nuk ka dhënë asnjë shpjegim për mosfunksionimin e platformës, duke lënë qytetarët peng të një projekti të dështuar, ku paratë publike derdhen edhe në mes të një dështimi të hapur teknik.

Ky është një shembull i qartë i “kontratave miqësore”, ku shërbimet nuk dorëzohen sipas standardeve, por faturat paguhen pa asnjë llogaridhënie.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit