Vala e dytë e të nxehtit veror me temperatura mbi 40 gradë që ka goditur fort disa zona të Spanjës, ka shkaktuar zjarre të shumta pyjore, veçanërisht në rajonin e Castile dhe León.
Për të përballuar këtë rrezik, në qytetin Mataró ka nisur një projekt pilot ku dhitë përdoren për të ulur rrezikun e zjarreve të mëdha që përkeqësohen nga ndryshimet klimatike dhe po shkatërrojnë rajonin e Evropës Jugore.
Dhitë njihen për oreksin e tyre të pangopur, duke konsumuar madje edhe bimë me gjemba si kaktuset, çka i bën ideale për pastrimin e shkurreve dhe materialeve të djegshme, si dhe për krijimin e brezave natyrorë që ndalojnë përhapjen e zjarreve.
Në Katalonjë, vitin e kaluar pati më pak shpërthime zjarri, edhe pse zona kalonte vitin e tretë të thatësirës së rëndë. Një nga masat parandaluese më efektive ka qenë kullotja me dhi duke eliminuar barishtet dhe bimësinë e djegur.
Dy barinj, Francesc Teixidó dhe Pedro Alba, kanë bashkuar kopetë e tyre dhe jetojnë në stilin nomad të kullotjes, duke lëvizur kafshët në zonat më të rrezikuara nga zjarret. Teixidó, ish-instruktor sportesh, nisi me shtatë dhi si eksperiment personal, ndërsa Alba, ish-muzikant, iu bashkua këtij modeli pas pandemisë për të kaluar më shumë kohë me djalin e tij të vogël.
Ata paguhen nga bashkitë dhe prodhuesit e djathit për qumështin cilësor të dhive që kullosin në lëvizje, qumësht ky më i pasur me yndyrë dhe proteina, dhe me shije që ndryshon sipas stinës. Edhe pse përballen me sfida burokratike dhe të ardhura modeste, ata thonë se nuk e bëjnë për para, por sepse besojnë në një mënyrë tjetër jetese dhe në menaxhimin më të mirë të tokës.
Projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian, është vlerësuar si një sukses dhe pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë. Kullotja e bagëtive nuk është një praktikë e re, por gjithnjë e më shumë fermerë po i kthehen këtij modeli, duke lënë mënjanë makineritë që mund të shkaktojnë shkëndija dhe zjarre.
Kjo metodë nxit ruajtjen e biodiversitetit dhe përmirëson zhvillimin ekonomik të zonave rurale përmes masave më miqësore ndaj mjedisit.