Një krim tronditës me përmasa ndërkombëtare është zbuluar në Bolivi, ku tre trupa të pajetë u gjetën të mërkurën në mëngjes brenda një shtëpie në lagjen Petrolero Norte, të mbështjellë me thasë të zinj najloni dhe të mbyllur me ngjitës.
Sipas burimeve nga mediat serbe, dy nga viktimat janë identifikuar: Miljan Đekić, 38 vjeç, nga Nishi i Serbisë, Dejanç Lazarevski, 43 vjeç, nga Strumica e Maqedonisë së Veriut, i njohur me nofkën “Maqedonasi”.
Viktima e tretë ende nuk është identifikuar zyrtarisht, por dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara.
Autoritetet boliviane po hetojnë pistën e trafikut ndërkombëtar të drogës, duke e lidhur krimin me të ashtuquajturin “kartel ballkanik”, i cili vepron në rrugët e kokainës në Amerikën Latine.
Mediat serbe raportojnë se të afërm dhe të njohur të viktimave janë informuar për vrasjet nga një shtetas serb që ndodhej me ta në Amerikën e Jugut. Sipas dëshmive paraprake, tre burrat ishin prej kohësh në Bolivi dhe dyshohet se kishin rol aktiv në trafikun e lëndëve narkotike.
Rojet e sigurisë dhe fqinjët e zonës deklarojnë se nuk dëgjuan të shtëna apo britma për ndihmë, duke ngritur dyshime se ekzekutimi është kryer në mënyrë të heshtur dhe profesionale. Trupat janë larguar nga banesa rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa persona të dyshimtë janë parë duke hyrë nga garazhi, çka sugjeron për një planifikim të kujdesshëm.
“Ishin njerëz të tjerë në atë shtëpi gjatë korrikut, por më pas nuk dihej kush hynte e dilte. Më shumë dëgjohej muzikë me zë të lartë, por asnjë alarm”, – deklaroi një punonjës sigurie për mediat lokale.
Burime jozyrtare raportojnë se viktimat kanë pësuar tortura përpara ekzekutimit, çka përforcon dyshimet për përfshirje në rrjete kriminale dhe larje hesapesh.