Teksa flakët vazhdojnë të përpijnë zona të tëra të vendit, kryeministri Edi Rama dje zgjodhi të godasë me ironi kritikët e tij, duke deklaruar se Shqipëria nuk është e vetmja që po digjet, por edhe “rajoni po përballet me të njëjtën situatë”.
Por përtej retorikës, realiteti tregon të kundërtën. Shteti fqinj, Greqia, ndonëse po kalon një krizë të rëndë zjarresh brenda territorit të saj, ka arritur jo vetëm të monitorojë dhe të menaxhojë më mirë vatrat, por edhe të ndihmojë Shqipërinë. Ambasada greke njoftoi se, përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile dhe bashkëpunimit dypalësh, ka vënë në dispozicion mjete ajrore zjarrfikëse për të shuar flakët në vendin tonë.
Ndërkohë, Shqipëria prej dy ditësh ndodhet nën pushtetin e zjarreve shkatërruese, sidomos në Delvinë dhe Gramsh, ku mungesa e mjeteve dhe pajisjeve zjarrfikëse e ka bërë përballjen edhe më të vështirë.
E ndërsa vendi po përvëlohet, Rama gjen kohë për të relativizuar krizën, por jo për të siguruar pajisjet që do t’i jepnin fund kësaj drame natyrore. Ironia është se, ndërsa ai shpjegon se “edhe rajoni po digjet”, fqinji ynë përveç zjarreve të veta po fik edhe tona.