Në maternitetin e Durrësit, pacientët por edhe stafi i mjekëve dhe infermierëve po përballen me kushte të papranueshme dhe të rrezikshme për shëndetin.
Në mes të verës, me temperatura deri në 40 gradë Celsius, maternitetit i mungon uji për t’u larë dhe për nevoja bazë higjienike. Stafi dhe pacientët janë të detyruar të ngrohin ujë në bidona plastike që i vendosin pranë dritareve, për të mundur të kryejnë nevojat minimale.
Ndërkohë hyrja e maternitetit është e mbuluar me plehra të grumbulluara, ndërsa rrugët pranë janë plot me qenë endacakë që mund të të sulmojnë nga momenti në moment.
Pacientet e këtij materniteti shprehen se dhomat ku qëndrojnë janë jashtë çdo standarti, me kondicionerë sa për zbukurim dhe freskuese të blera me paratë e tyre dhe të sjella nga shtëpia.
Ato shprehen se kjo situatë është një turp për sistemin shëndetësor dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të siguruar kushte minimale higjienike dhe infrastrukturore në maternitetin e Durrësit.
Denoncimi i qytetarit:
"Ky eshtë materniteti Durrës. Jashte eshtë 40 grad, dushe pa ujë. Zoti i rujt, shkoni nji xhiro, plehra pa fund, qen pa fund. Gjynaf për stafin qe punojnë në kushte mesjete. Ishalla e rregullojnë nji ditë. E ngrohin ujin me bidona ne dritare per tu lare. Po shko nji xhiro ne Durrës eshte shume e thjeshte. Sa te futesh eshte nji mal me plehra. Pastaj do takosh nja 20 qen rrugësh. Pastaj shko te urgjenca e maternitetit. Shikoje si duket hip ne katin e 3 shikoji të gjitha dhomat me rradh po gjete nji të sakt. Cdo dhomë kane bler njerezit vete freskuse eshte shumë nxehte ta kam cuar vidion duket qart. Faleminderit. Sa për stafin nuk kam ankesa. Kushtet Skandal Zoti i ruajt ata qe punojnë dhe ata që janë aty për hall. Neper dritare do shikosh bidona 5 liter qe I kan len te ngrohet me diell qe te lahen ska uje dushe".