Përballë situatës emergjente që po krijohet nga zjarret në Shqipëri, bashkitë e vendit po hasin një mungesë të madhe zjarrfikësish, që është rreth 25% më e ulët se sa parashikohet nga ligji. Sipas të dhënave nga Instituti i Bashkive të Shqipërisë, aktualisht janë 1,300 zjarrfikës të punësuar në nivel kombëtar, ndërkohë që ligji “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi” përcakton një standard prej 1 zjarrfikësi për 1,500-2,000 banorë.
Kjo ka vështirësuar ndjeshëm menaxhimin e emergjencave dhe zjarreve të përmasave të mëdha që shpërthejnë çdo vit. Në raportin e Institutit të Bashkive për vitin 2024, është evidentuar se numri i zjarrfikësve në Shqipëri është rreth 0.8 për 1,500 banorë, shumë më pak se standardi ligjor. Ky deficit është veçanërisht i dukshëm në qytetet më të mëdha, ku Tirana ka numrin më të ulët të zjarrfikësve për frymë.
Përveç mungesës së personelit, Shqipëria po përballet edhe me një deficit të madh të mjeteve zjarrfikëse. Sipas të dhënave, numri i automjeteve zjarrfikëse është vetëm 0.9 për 10,000 banorë, që është gjithashtu nën nivelin e kërkuar për të përballuar situata emergjente të mëdha. Ky deficit është veçanërisht shqetësues në zonat malore dhe të izoluara.
Kryeministri shqiptar vazhdon të na prezantojë me një sukses të jashtëzakonshëm menaxhimin e situatave emergjente. Në çdo dalje publike, ai na tregon se Shqipëria është “përgatitur për çdo situatë” dhe se “kapacitetet janë përmirësuar”. Sipas tij, bashkitë janë të gatshme të luftojnë çdo flakë ndonëse, në realitet, janë me 25% më pak zjarrfikës dhe automjete zjarrfikëse, shumë më pak se sa kërkon ligji i cili për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri përcakton se çdo bashki duhet të ndjekë standardin e 1 zjarrfikës profesionist për çdo 1,500-2,000 banorë.