Një i ri i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast që, sipas tij, lidhet me sigurinë ushqimore.
Ai tregon se ka blerë një tacos në një filial të “French Tacos” në Tiranë, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Sipas tij, pasi e ka marrë ushqimin për ta konsumuar në shtëpi, ka gjetur brenda një insekt të ngordhur që duket të jetë një bletë. Në foton e dërguar nga denoncuesi, insekti shihet mes përbërësve të produktit.
I riu thotë se ka kontaktuar biznesin përmes rrjeteve sociale, por deri më tani nuk ka marrë një përgjigje.
Menjëherë pas publikimit, menaxhmenti i “French Tacos” në Tiranë ka reaguar dhe është shprehur për JOQ Albania se nuk ka marrë asnjë ankesë përmes kanaleve zyrtare të rrjeteve sociale dhe se pas verifikimeve nuk kanë gjetur ndonjë mesazh nga klienti në fjalë.
Ata theksojnë se kompania funksionon prej dy vitesh, është e hapur ndaj çdo shqetësimi dhe gjithmonë ka zgjidhur e rimbursuar çdo rast problematik, qoftë edhe nëse ka ndodhur aksidentalisht.
Përfaqësuesit shtuan se klienti është mbi gjithçka për ta dhe se janë të gatshëm të kërkojnë ndjesë e të ofrojnë rimbursim nëse rasti rezulton i vërtetë. Ata gjithashtu shprehën dëshirën të komunikojnë drejtpërdrejt me personin që ka bërë denoncimin, për të sqaruar plotësisht situatën.
Sqarim: JOQ Albania nuk e konfirmon vërtetësinë e pretendimeve të bëra nga qytetari në këtë denoncim. Publikimi ka për qëllim pasqyrimin e shqetësimit të tij.