Situata në njësinë Skënderbegas të Gramshit vijon të jetë dramatike pas zjarreve shkatërrimtare që kanë përfshirë zonën prej dy ditësh.
Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë kanë zbritur sot në terren për groposjen urgjente të dhjetëra kafshëve të ngordhura nga flakët, në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e ndonjë epidemie.
Bilanci i deritanishëm është i rëndë: 39 banesa janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa sipërfaqe të mëdha me pyje, shkurre e kullota janë kthyer në hi. Dhjetëra bagëti mbetën të rrethuara nga zjarri dhe nuk mundën të shpëtonin.
Më herët gjatë ditës, flakët kanë depërtuar në fshatin e tetë të kësaj njësie administrative. Më shumë se 350 efektivë po punojnë pa ndërprerje për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar edhe nga ajri me helikopterë.
Për shkak të rrezikut ka nisur evakuimi i banorëve. Zjarrfikësit po zhvillojnë një betejë të dyfishtë kundër zjarrit dhe kohës për të mbrojtur jetët dhe pronat e mbetura ende të paprekura.