Vendet e rajonit të Mesdheut po përballen me zjarre të mëdha, të cilat po djegin mijëra hektarë pyje, po shkatërrojnë shtëpi dhe po marrin jetë njerëzish e kafshësh. Temperaturat e larta, të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike, kanë shkaktuar zjarrë të përmasave të mëdha që ekipet zjarrfikëse mezi po i përballojnë në Turqi, Greqi, Spanjë, Itali, Francë, Qipro dhe Bullgari.
Deri më tani, 24 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 65.000 janë evakuuar në të gjithë rajonin.
Vetëm në Turqi, që nga muaji qershor, janë evakuuar mbi 50.000 persona për shkak të zjarreve në Izmir dhe zonat përreth. Pesë zjarrfikës dhe pesë pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit kanë humbur jetën në Seyitgazi dhe Eskişehir.
Në Greqi, një person i moshuar ka ndërruar jetë në Keratea, ndërsa mijëra të tjerë, përfshirë turistë, janë evakuuar nga ishujt Chios, Kreta, Attica, Evia, Kythira dhe Messenia.
Në Spanjë, një zjarrfikës vullnetar ka humbur jetën gjatë operacioneve në Castile, ku janë evakuuar mbi 5.000 persona. Zjarre me intensitet të lartë janë regjistruar gjithashtu në Castile y León, Galicia dhe Madrid.
Edhe Parku Kombëtar i Vezuvit pranë Napolit në Itali është përfshirë nga zjarret, duke detyruar turistët të largohen, në një situatë të pazakontë për këtë zonë të njohur.