Mirgeni heroi i Gramshit: Shpëtoi tre familje nga flakët, por humbi vetë gjithçka

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.08.2025, 17:48

Prej dy ditësh, Shqipëria po digjet. Zjarret kanë pushtuar male, pyje e fshatra të tëra, duke shkatërruar banesa, djegur bagëti dhe gjithçka që njerëzit kanë ndërtuar me vite.

Një nga zonat më të goditura është Gramshi, ku dhjetëra familje janë detyruar të braktisin shtëpitë nën kërcënimin e flakëve. Por në mes të këtij ferri, një histori trimërie dhe sakrifice vjen nga fshati Skënderbegas.

Mirgen Çela, 35 vjeç, nuk u mendua dy herë kur pa se flakët po afroheshin me shpejtësi drejt fshatit dhe banesave. Ai hyri në zonën e zjarrit për të ndihmuar bashkëfshatarët, duke shpëtuar tre familje.

“Ishte e tmerrshme. Tym kudo, nuk shihje asgjë. Ecja nëpër tym, të kapur dorë për dore, njëri pas tjetrit, vetëm ashtu mundëm të dilnim gjallë,” ka pohuar ai më herët, ndërkohë që i tronditur nga kjo ngjarje ka rrëfyer se flakët u përphapën me shpetjësi duke mos u lënë kohë që të vepronin.

Por ndërsa ndihmoi të tjerët të shpëtonin, vetë humbi gjithçka pasi shtëpia e tij u shkrumbua nga flakët dhe u zhduk.

“Kur zbrita disa metra më poshtë, mendova se s’do ja dilja. Flakët kaluan nga Kullollasi për në Skënderbegas si baruti. Ishin kudo. Shpëtova tre familje, por… kur shkova më vonë në Skënderbegas, shtëpia ime ishte djegur. Ishte zhdukur. Sytë tani shohin përreth, një horizont zjarri dhe hi. Nuk kam fjalë… po shohim vdekjen me sy”, përfundoi ai.

Por pavarësisht se tani ka mbetur në mes të rrugës dhe pa një çati ku të fusë kokën në mbrëmje, Mirgeni vijon të jetë në terren duke bërë punë vullnetare e duke u ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit