Paniku ka përfshirë banorët e fshatit Leftrehor mbi Delvinë, pasi flakët janë afruar ndjeshëm drejt zonës së banuar dhe rrezikojnë të përfshijnë fshatin Varfaj. Në pamjet e siguruara nga qytetarët shihen njerëz që largohen me vrap, duke tentuar të shpëtojnë veten dhe çfarë mund të marrin me vete, ndërsa tymi dhe zjarri po mbulojnë zonën.
“Pershendetje JOQ, fshati Leftrehor mbi Delvinë. Flakët po i afrohen fshatit Varfaj, deri tani asnjë ndihmë për banorët që në rast rreziku ti ndihmojnë të largohen. Jemi të tmerruar 😢” shkruan një banore.
Ngjarja vjen në një kohë kur vendi po përballet me një situatë të rëndë zjarresh që prej fillimit të gushtit, me dhjetëra vatra aktive të shpërndara në zona të ndryshme të Shqipërisë. Flakët kanë përfshirë rrethinat e Tiranës, Gramshin, Delvinën, Gjirokastrën, Tepelenën, Spillenë, Lezhën, Fushë-Arrëzin dhe zona të tjera, duke shkaktuar djegien e banesave, dëme të mëdha materiale, lëndime tek qytetarët dhe humbje jete.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe ndihmës së shteteve fqinje me avionë, zjarret nuk janë vënë ende plotësisht nën kontroll. Qeveria kritikohet ashpër për mungesë të mjeteve dhe ndërhyrje të ngadaltë në raste emergjencash të tilla.