Shqipëria nën pushtetin e flakëve, zjarrfikësit me mjete të dhuruara por të pa trajnuar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.08.2025, 14:09

Ndërsa vendi përballet me zjarre masive, një raport i kahershëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregon më së miri realitetin alarmant të shërbimit zjarrfikës në Shqipëri, i cili po vihet më së miri në pah këto ditë.

Në një auditim të thelluar, KLSH ngre alarmin për mungesën e kapaciteteve bazë, që e bëjnë vendin tërësisht të pambrojtur përballë emergjencave. Sipas raportit, 90% e mjeteve zjarrfikëse janë dhurata apo donacione, shpesh të amortizuara dhe jashtë standardeve, të cilat kërkojnë kosto të lartë mirëmbajtjeje dhe janë të papërshtatshme për terrenet e vështira shqiptare.

90% e mjeteve që disponon shërbimi zjarrfikës janë donacione dhe dhurata nga shërbimet homologe tejet te amortizuara dhe të vjetra të cilat kërkojnë kosto për mirëmbajtjen e tyre. Mungesa e investimeve në drejtim të ngritjes së infrastrukturës së flotës zjarrfikëse në rang kombëtar për periudhën objekt auditimi ka ndikuar drejtpërsëdrejti në cilësinë e këtij shërbimi”, thuhet në raport.

Duke vijuar më tej, gjetjet e auditimit të KLSH-së tregojnë gjendjen alaramante të bashkive ku stacionet zjarrfikëse nuk arrijnë të përmbushin standardet, duke i lënë qytetet dhe fshatrat të pambrojtura në rast zjarri.

“Nga të dhënat e paraqitura rezulton se vetëm 23 ose 38 % nga 61 bashki plotësojnë standardin e kërkuar, për ngritjen e stacioneve të shërbimit zjarrfikës, gjë që tregon mungesë të një strategjie në rang kombëtar të mbështetur me fonde për investime në drejtim të ngritjes së një infrastrukture bashkëkohore për shërbimin zjarrfikës në mbarë vendin”, deklaron KLSH.

Po ashtu, në raport thuhet se Shqipëria nuk ka një shkollë të specializuar për trajnimin e zjarrfikësve, ndërsa trajnimet e ofruara janë të pakta dhe jo të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare. Në mungesë të korsive prioritare për automjetet zjarrfikëse, ndërhyrjet në raste emergjente shpesh vonohen.

Shqipëria renditet ndër të paktat vende, e cila nuk ka një Shkollë për Trajnimin Zjarrfikës. Gjatë periudhës objekt auditimi nuk janë ndërmarrë hapa ligjore për përgatitjen e kuadrit rregullator për krijimin e kësaj shkolle pranë Akademisë se Sigurisë. Bashki nuk kanë në gjendje funksioni korsinë e të drejtës prioritare të rrugëve të kalimit, për automjetet dhe pajisjet zjarrfikëse”, shton KLSH.

Situata aktuale nga zjarret në vend e bën këtë raport edhe më shqetësues. Shërbimi zjarrfikës që duhet të jetë mburoja e qytetarëve, sot lufton flakët me mjete të vjetra, personel të papërgatitur dhe struktura të pamjaftueshme, duke rrezikuar jetë dhe pronë çdo ditë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit