Ndërsa vala e zjarreve vijon të përhapet në disa zona të vendit, mungesa e pajisjeve dhe infrastrukturës mbetet një sfidë serioze për strukturat e MZSH-së.
Drejtori i përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara, gjatë një takimi në Kukës me grupin e punës për monitorimin dhe menaxhimin e emergjencave civile, theksoi se shumë bashki nuk kanë krijuar kushtet e nevojshme infrastrukturore për forcat operacionale në terren, duke vështirësuar ndërhyrjen në kohë ndaj zjarreve.
"Strukturat e MZSH-së po përballen me probleme përsa i përket infrastrukturës. Po shohim reagim jo shumë të volitshëm nga ana e kryetarëve të bashkisë. Çdo vit, në maj, dërgojmë shkresa për zbatim të ligjeve të vitit 2015; 139 dhe 152. Lind e drejta që çdo kryetar bashkie të merret me infrastrukturën për krijimin e kushteve që forcat operacionale të ndërhyjnë në një operacion zjarri, aksidente rrugore, përmbytje. Ka mangësi të theksuar në këtë drejtim dhe jo vetëm, por edhe në kompletimin me pajisje sa i përket zjarrfikësve.", tha ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me mungesën e pajisjeve dhe uniformave për zjarrfikësit.
"Uniforma jo vetëm që është detyrim ligjor dhe duhet bërë me zbatim të një VKM që ne e kemi dërguar kohë më parë, por përtej tjetërsimit ose bërjes së një uniforme që dikush e bën të kuqe e dikush të verdhë dhe asnjë nga zjarrfkësit nuk përfaqësojnë siç duhet shërbimin zjarrfikës dhe shtetin shqiptar dhe nuk është uniforma e duhur që ta mbrojë atë në rast fatkeqësie dhe kjo na bën të reflektojmë”, shtoi ai.
Gjithashtu, Cara nënvizoi angazhimin maksimal të institucioneve për mbështetje në terren, por theksoi se pa infrastrukturë dhe standardizim të pajisjeve, rreziku mbetet i lartë.