Situata me zjarret në Gramsh vijon të jetë problematike, ndërsa banorët e fshatit Nartë po largohen në panik pas afrimit të flakëve që kanë përfshirë zonën dhe paralajmërimit të Ministrisë së Mbrojtjes për evakuim të menjëhershëm.
Banorët po braktisin shtëpitë që nga momenti në moment mund të përpihen nga flakët që po përhapen me shpejtësi. Me lot në sy, të dëshpëruar dhe të kapur nga paniku, familje të tëra po largohen me çfarë kanë në trup, duke munduar të shpëtojnë edhe bagëtitë, të vetmen pasuri që u ka mbetur.
“Tërë plaçkat atje i kam lënë. Asgjë nuk shpëtuam. Ku të iki, unë do të digjem atje brenda. Tërë plaçkat kam lënë aty, siç kam punuar 70 vjet, ç’e desha jetën time”, u shpreh një banore.
Situata në Nartë dhe gjithë njësinë administrative të Skënderbegasit vazhdon të jetë katastrofike, ndërsa zjarret po përhapen me shpejtësi dhe nuk ka ende ndërhyrje të mjaftueshme nga ajri. Banorët kërkojnë ndihmë urgjente nga shteti, për të mos lënë këtë fatkeqësi të kthehet në tragjedi kombëtare.