Shqipëria prej ditësh po përballet me një situatë alarmante nga zjarret, të cilat kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit. Vetëm sot janë raportuar 27 vatra aktive në disa qarqe të vendit, me përhapje të shpejtë për shkak të temperaturave të larta dhe erës.
Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha pyjore. Raportohet për dhjetëra shtëpi të dëmtuara, persona të lënduar dhe fatkeqësisht edhe një viktimë ditën e djeshme në Gramsh. Vendet më të prekura këto ditë përfshijnë rrethinat e Tiranës, Gramshin, Sarandë, Delvinën, Gjirokastrën, Tepelenën, Spillenë, Lezhën dhe Fushë-Arrëzin, ndërsa ekipet e emergjencave civile po përpiqen të mbajnë nën kontroll situatën me mbështetjen e mjeteve tokësore dhe ndihmës nga vendet fqinje me avionë zjarrfikës.
Përballë kësaj gjendjeje, një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë me një thirrje drejtuar si kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe shqiptarëve jashtë vendit, për sigurimin e mjeteve ajrore që do të mund të ndihmojnë në përballimin e situatave të tilla.
Qytetari shprehet:
“O nëne moj, o ju çuna që punoni me drogë në Europë dhe zoti t’ju ruaj se sakrificë e madhe është, ju lutem të gjithë së bashku mundohuni të blini 3 ose 4 avionë që të shuaj zjarret në Shqipëri se me qeverinë që kemi ne në Shqipëri, e kanë mendjen vetëm për të vjedhur. Ju lutem na ndihmoni. Edi Rama turp i botës në 2025, ato që vjedh të paktën 3 ose 4 avionë, se kaq është Shqipëria, jo nxirri njerëzit nga shpija jo këtej po andej. 4 avion mbaron punë. Respekte për çunat, mblidhuni të gjithë bashkë edhe dërgoni Edi Ramës 4 avionë që të shuaj zjarret. Ju ruajt zoti.”
Në fund, një falënderim i veçantë shkon për të gjithë zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe qytetarët e thjeshtë që po rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar njerëz, shtëpi e pyje nga flakët.