Vijon situata kritike në Delvinë, evakuuohen banorët në disa lagje të qytetetit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.08.2025, 23:45

JOQ Albania publikoi më herët pamjet dramatike të mbërritura në redaksi nga dhjetëra qytetarë të shqetësuar, të cilët kërkonin ndërhyrje urgjente nga shteti për t’i shpëtuar nga rreziku serioz që u kanosej prej flakëve.

Së fundmi, raportohet se situata në Delvinë vijon të jetë kritike. Zjarri ka përfshirë zona të gjera dhe i është afruar rrezikshëm spitalit të qytetit. Policia ka evakuuar banorët e lagjeve Llakë, Mukurs dhe Xhermëhallë, ku gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë larguar nga shtëpitë, ndërsa burrat kanë mbetur në vend për të ndihmuar zjarrfikësit dhe punonjësit e emergjencës.

Qyteti është aktualisht pa energji elektrike, gjë që e vështirëson menaxhimin e emergjencës. Pacientët e spitalit janë transferuar për arsye sigurie në kinoteatrin e qytetit.

Dyshohet se disa banesa janë përfshirë nga flakët, por për shkak të tymit të dendur dhe terrenit të vështirë, ende nuk ka një bilanc të saktë të dëmeve. Forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit janë në terren dhe po punojnë për të frenuar përhapjen e zjarrit, ndërsa era e fortë që fryn drejt qytetit po e bën situatën edhe më të rrezikshme.

Pranë spitalit, janë marrë masa urgjente për të çmontuar dhe larguar sistemin e furnizimit me oksigjen, për të shmangur rrezikun e një shpërthimi në rast se flakët arrijnë godinën. I gjithë stafi mjekësor është në gatishmëri, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të mbrojtur ambientet.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e forcave të rendit, për të shmangur pasoja të tjera.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit