SPAK “ngrin” hetimet për vjedhjen e fondeve IPARD, miliona euro të BE mbeten të bllokuara

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.08.2025, 20:44

Prej dy vitesh, fondet e programit IPARD për mbështetjen e bujqësisë shqiptare janë bllokuar për shkak të dyshimeve për korrupsion, ndërsa hetimet e SPAK-ut nuk kanë avancuar në mënyrë konkrete.

Brukseli vazhdon të kërkojë nga autoritetet shqiptare trajtim serioz të çështjes, duke theksuar nevojën për mbrojtje të fondeve europiane dhe transparencë në procesin hetimor. Megjithatë, deri më tani hetimet kanë ngecur në fazën paraprake, pa asnjë arrestim apo akt akuze.

Dosja e hetimeve për abuzimet me fondet IPARD, që ka kaluar edhe në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas është rikthyer në SPAK, nuk ka prodhuar rezultate konkrete, ndërsa zyrtarët e SPAK-ut nuk japin detaje për shkak të sekretit hetimor.

Në vitin 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) përfundoi hetimin administrativ dhe dorëzoi raportin pranë autoriteteve shqiptare dhe Komisionit Europian, por vendimmarrja e mëtejshme mbetet në dorë të institucioneve shqiptare.

Ministria e Bujqësisë thotë se po punon për auditimin e jashtëm dhe për masat përmirësuese, por nuk jep afate të qarta për rifillimin e financimeve. Fermerët dhe aktorët e sektorit presin me padurim rikthimin e fondeve që do të ndihmojnë zhvillimin rural, ndërsa Komisioni Europian kërkon masa korrigjuese dhe transparencë përpara se të rifillojë mbështetjen financiare.

Programi IPARD ka qenë një burim i rëndësishëm për sektorin bujqësor, duke ofruar mbi 71 milionë euro gjatë periudhës 2014-2020, dhe pritej të vijonte me 146 milionë euro fonde në kuadër të IPARD III. Megjithatë, dyshimet për korrupsion kanë bllokuar këto investime, duke shkaktuar një krizë financiare dhe besimi në sektorin rural.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit