Pas tre ditësh në luftë me jetën 15-vjeçari Elidjon Shehaj, i cili u plagos rëndë në aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së premtes në Qafën e Koshovicës në Fier, humbi jetën sot. Aksidenti ndodhi kur një automjet tip Benz humbi kontrollin pas ndërhyrjes së një mjeti tjetër dhe doli nga rruga. Elidjoni ndodhej në makinë me tre persona të tjerë, por plagët që mori ai rezultuan fatale, duke ia shuar jetën në lulen e rinisë dhe duke lënë pas dhimbje.
Arrestimi i drejtuesit të mjetit që shkaktoi aksidentin, një 45-vjeçar me banim në Itali, nuk mund të shuajë zbrazëtinë që ka lënë pas kjo humbje. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe largim nga vendi i ngjarjes pa dhënë ndihmë, një akt që ka shtuar zemërimin dhe kërkesën për drejtësi. Elidjoni ishte një djalë i qetë, i dashur dhe plot ëndrra. Vdekja e tij është një plagë që nuk shërohet lehtë për familjen, shokët dhe gjithë ata që patën fatin ta njihnin.
Në shkollën “Meleq Gosnishti”, ku Elidjoni ishte nxënës, dhimbja është e pazëshme dhe e thellë. Stafi pedagogjik e kujton si një djalë të sjellshëm, plot jetë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Ai ishte shembull i mirësisë dhe dashamirësisë mes shokëve, një fëmijë që sillte dritë në çdo klasë ku hynte. Në reagimin e tyre, mësuesit shprehen se Elidjoni do të mbetet përgjithmonë në kujtimet dhe zemrat e tyre, si një engjëll që u shkëput shumë shpejt nga kjo jetë.
