Zjarre të shumta kanë përfshirë një pjesë të madhe të disa fshatrave në Shqipëri, me situatën më kritike në zonën e Gramshit. Në fshatin Harunas, dëmet materiale kanë qenë të mëdha, ndërsa banorët të revoltuar janë përplasur me policinë pasditen e kësaj të marte, duke akuzuar autoritetet për ndërhyrje të vonuar.
Një banore mes lotësh tregon se flakët kishin nisur një ditë më parë, por forcat policore mbërritën vetëm në mëngjesin e së martës. “Që dje atje lart ka qenë flaka. Policia ka ardhur sot në orën 9:00 të mëngjesit. Erdhën pasi u përvëluam. Kam punuar gjithë jetën për atë shtëpi. Përse nuk erdhën dje avionët, erdhën sot. Tetë avionë mbushën një kovë me ujë dhe ikën. Janë djegur gjithë ata që kanë punuar një jetë të tërë,” u shpreh ajo.
Një tjetër banor thotë se ndihma nuk mbërriti edhe pse shtëpitë ishin vetëm 50 metra larg rrugës kryesore. “Ishin vetëm 4 familje. Atje është një familje akoma. 50 metra ishin nga rruga dhe nuk u mbrojtën,” tha ai.
Një dëshmi tjetër shpalos dëmet ekonomike dhe mungesën e çdo asistence në evakuim. “U largova vetë, se s’kemi ujë. Banesa ime është djegur komplet, 100 milionë lekë. Kam dhe bagëti, edhe i lamë mbyllur atje. Janë djegur 100 milionë lekë,” tha banori, i cili deklaroi se do të kthehet të flejë në vendin ku kishte shtëpinë.