Naime Cora 53 vjeçe nga Paskuqani është invalidë e plotë dhe merr një pension të rakorduar prej vetëm 107 mijë lekësh të vjetra, shumë që nuk i mjafton për asgjë, madje as për shpenzimet e ilaçeve të nevojshme. Ajo ka kryer pesë operacione për hernie diskale dhe një tjetër në qafë, për hernie diskale cervikale. Përveç këtyre, ka edhe probleme serioze me zemrën, që e bëjnë jetesën e saj shumë të vështirë.
Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, Naimja ka takuar ish-ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një takim që u zhvillua në një lokal në Paskuqan së bashku me kryebashkiakun Rakip Suli. Manastirliu i ka premtuar se do ta takonte në zyrën e saj për të diskutuar diagnozën dhe rishikimin e pensionit, por më pas nuk u paraqit kurrë në takim, duke lënë qytetaren në pritje dhe pa asnjë zgjidhje. Kjo ka shkaktuar zhgënjim dhe ndjenjë mashtrimi tek Naimja, e cila ndjehet e braktisur nga institucionet.
Duke u ndjerë e pafuqishme dhe pa mbështetje, Naimja kërkon që pensioni i saj të rritet në nivel të plotë dhe të mos jetë më i reduktuar. Ajo denoncon mungesën e drejtësisë dhe indiferencën ndaj vuajtjeve të saj fizike dhe ekonomike, duke theksuar se situata aktuale është e papranueshme për një person me invaliditet të plotë dhe me probleme shëndetësore të shumta.
"Përshëndetje jam Naime Cora nga Paskuqani. Jam invalide e plotë, marr pension 107 mijë lekë të vjetra, pension i rakorduar. Jam bërë 5 herë operime me hernie diskale dhe një në qafë hernie diskale cervikale. Kam takuar dhe ministren e shëndetësisë në atë kohë, Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiakun Rakip Suli në një mbledhje te një lokal në Paskuqan. Ajo më tha hajde në zyrën time të Ministrisë së Shëndetësisë dhe më tako, aty do të flasim për diagnozën tënde dhe punën e pensionit, por më mashtroi dhe nuk më doli në takim. Unë kam problem dhe me zemrën. Pensioni i invaliditetit që marr nuk më del as për ilaçe. Jam ankuar kudo dhe nuk kam gjetur zgjidhje dhe drejtësi", thotë qytetarja për JOQ Albania.