Linjat e autobusëve që lidhin Italinë me Shqipërinë, kryesisht ato që lëvizin nga Ancona dhe Bari drejt Durrësit, janë përdorur nga një grup kriminal për trafikimin e parave të drogës.
Detajet janë zbuluar nga dosja hetimore e SPAK ndaj organizatës së fuqishme kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela. Sipas prokurorisë, nga qershori 2020 deri në shkurt 2021, në Shqipëri janë futur të paktën 6 milionë euro të përfituara nga aktiviteti i trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Paratë e pista transportoheshin të fshehura në termusë plazhi, çanta dhe kuti, duke përdorur linjat e udhëtarëve për t’i futur në vend pa rënë në sy të autoriteteve.
Përmes identifikimit të komunikimeve në Sky ECC, SPAK ka zbuluar se Elido Çela, Kujtim Gjyla, Alfred Gjoni, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në lëvizjen e parave.
Sipas të dhënave, janë dokumentuar të paktën 40 episode të sjelljes së parave në Shqipëri, me shuma që varionin nga 30 mijë deri në 400 mijë euro për çdo udhëtim. Shoferët e autobusëve përfitonin rreth 2% të shumës së transportuar si tarifë për rrezikun e marrë përsipër, pagesa që kryheshin nga anëtarët e grupit.
Prokuroria dyshon se këto para janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese në Shqipëri. Deri më tani janë sekuestruar: një resort në Xhafzotaj, Durrës, dy vila, një në Himarë dhe një në Tiranë, shoqëri tregtare të ndryshme dhe sipërfaqe toke në emër të të afërmve të grupit kriminal.
Gjatë kontrolleve të kryera janë gjetur edhe 111,800 euro cash, 4,000 dollarë amerikanë dhe 880,000 lekë, prova që forcojnë dyshimet për përmasat e aktivitetit të paligjshëm.