Shpat Kasapi reagon pasi e bënë dasmorët për spital

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 12.08.2025, 16:13

Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka reaguar sërish pas incidentit të ndodhur në një dasmë në Kosovë pasi iu ulën enjtjet, ku ai dhe vëllai i tij, Albin Kasapi, u përfshinë në një konflikt fizik me dhëndrin dhe disa dasmorë. Ngjarja u regjistrua në restorantin “Grand Events” në fshatin Shkabaj, përgjatë aksit rrugor Prishtinë–Mitrovicë.

Sot, përmes disa postimeve në InstaStory, Kasapi publikoi foto dhe video ku akuzonte mediat se po shpifnin.

“Jam mirë si molla! Mos abuzoni me shkrime o media abuzuese” – shkroi ai, duke e shoqëruar mesazhin me emoji me të puthur.

Sipas Policisë së Kosovës, personat e përfshirë në dhunë janë identifikuar si shtetasit Feim Kicaj (rreth 62 vjeç), Bledar Kicaj (36) dhe Blerim Kicaj (29). Burime jozyrtare pretendojnë se përplasja nisi pas një vonese të këngëtarit në dasmë, ndërsa thuhet se ai mund të ketë mbërritur edhe në gjendje të dehur. Situata degjeneroi kur dhëndri dhe disa të ftuar goditën fizikisht Kasapin dhe vëllain e tij.

Policia ndërhyri duke shoqëruar si agresorët, ashtu edhe vëllezërit Kasapi për të marrë dëshmi dhe sqaruar rrethanat. Nga konfrontimi, njëri prej vëllezërve ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa sipas raportimeve, e lënduar ka mbetur edhe nusja e dasmës. Autoritetet në Kosovë kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe detajet e plota të ngjarjes.

Në një reagim tjetër në rrjetet sociale, Shpat Kasapi i kërkoi mediave të mos e ekzagjerojnë rastin:

“Të dashur miq, unë jam mirë me shëndet, falë Zotit. Ju lutem mos e ekzagjeroni shumë lajmin, ishte një keqkuptim me dasmorët, asgjë tjetër për t’u shqetësuar,”-shkroi ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit