Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vetëm gjatë vitit 2023, të ardhurat e bizneseve në këtë sektor arritën në 80.7 miliardë lekë, ose afërsisht 800 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 17% krahasuar me vitin e kaluar. Fitimi neto për këtë periudhë kap shifrën e 13.8 miliardë lekëve, që përbën rreth 17% të xhiros vjetore.
Rritja e të ardhurave nuk është e re, pasi dekada e fundit ka shënuar një trend pozitiv të qëndrueshëm. Megjithatë, ritmi u përshpejtua ndjeshëm pas vitit 2017, kur zhvillimet në turizëm, veçanërisht në zonat bregdetare, u bënë më intensive shkruan Monitor. Pandemia e viteve 2020-2021 solli një rënie të përkohshme për shkak të kufizimeve, por sektori u rimëkëmb shpejt, duke regjistruar një rritje të fortë në 2022 dhe 2023.
Dy janë arsyet kryesore të këtij suksesi:
Kuzhina shqiptare, një përzierje unike e shijeve mesdhetare dhe vendase, mbetet një “perlë e pazbuluar” e Mesdheut. Me ndikime osmane, italiane dhe ballkanike, ajo dallon nga vendet e tjera të rajonit për shkak të nivelit më të ulët të komercializimit, duke ofruar potencial të madh për rritje të mëtejshme.
Rritja e interesit për turizmin gastronomik, përvoja autentike dhe ushqime tradicionale, po e kthen Shqipërinë në një pikë të nxehtë për turistët që kërkojnë shije unike. Megjithatë, ekspertët theksojnë se për të shfrytëzuar plotësisht këtë potencial, nevojiten standarde më të larta shërbimi, trajnime profesionale për stafin dhe një strategji më e gjerë për promovimin e kuzhinës tradicionale shqiptare.