Situata nga zjarret në Gramsh po përkeqësohet nga ora në orë dhe situata sa vjen e bëhet e më kritike.
Gjashtë persona janë dërguar në Spitalin e Gramshit si pasojë e intoksikimit nga tymi, mes tyre katër gra që vijojnë të jenë të shtruara për shkak të problemeve me frymëmarrjen dhe sulmeve të panikut. Fatmirësisht, gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në fshatin Kullollas, një 80-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht pasi një zjarr i ndezur në oborrin e banesës së tij ka dalë jashtë kontrollit, duke e asfiksuar nga tymi i dendur.
Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shemberdhenjë, ku flakët kanë shkrumbuar tërësisht teqen, një objekt me vlerë historike dhe shpirtërore për komunitetin lokal. Dyshohet se një person mund të ketë mbetur i bllokuar brenda ndërtesës, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për fatin e tij.
Autoritetet kanë bërë thirrje urgjente për evakuimin e banorëve nga zonat e prekura, ndërsa ekipet e emergjencës po përballen me vështirësi të shumta për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve dhe terrenit të vështirë.