Rënia e lindjeve në Shqipëri po thellohet nga viti në vit, duke sinjalizuar një krizë të mundshme demografike në dekadat e ardhshme.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 janë regjistruar vetëm 9.322 lindje, që përbën një ulje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Nga janari deri në qershor 2025, janë regjistruar 4.340 lindje në tremujorin e parë dhe 4.982 në të dytin. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, u regjistruan gjithsej 10.325 lindje. Rënia më e madhe është vërejtur në tremujorin e dytë, ku shtesa natyrore (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve) ishte vetëm 48 lindje më shumë.
Pothuajse të gjitha qarqet e vendit kanë shënuar ulje të lindjeve, përveç një përjashtimi të vetëm në tremujorin e dytë. Tirana, edhe pse mban rekordin për numrin më të madh të lindjeve, ka pësuar gjithashtu rënie. Nga ana tjetër, Gjirokastra dhe Kukësi mbeten me shifra minimale, duke reflektuar diferencat e thella mes zonave metropolitane dhe atyre periferike.
Gjatë tremujorit të dytë 2025, Tirana regjistroi 1.982 lindje, ndërsa Gjirokastra vetëm 74. Kukësi ishte i vetmi qark me rritje në përqindje të lindjeve (+6.5%), ndërsa Korça shënoi rënien më të madhe me -26%.
Këto shifra ngrenë alarmin për ndikimet afatgjata në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe qëndrueshmërinë e popullsisë aktive. Rënia e lindjeve vjen si rezultat i disa faktorëve njëkohësisht: emigrimi i të rinjve, rritja e pasigurisë ekonomike, ulja e fertilitetit dhe kostoja e lartë e jetesës.
Shumë çifte shtyjnë ose kufizojnë lindjen e fëmijëve për shkak të mungesës së stabilitetit në punë, çmimeve të larta të banesave dhe kostove të rritura të edukimit dhe përkujdesjes. Ndërkohë, emigrimi i vazhdueshëm i të rinjve, sidomos nga zonat rurale, po redukton ndjeshëm bazën demografike të moshave riprodhuese në vend.
Megjithëse janë ndërmarrë disa politika për të nxitur lindshmërinë, deri më tani nuk janë parë rezultate të prekshme. Nëse ky trend vazhdon, Shqipëria rrezikon të përballet me një krizë të thellë demografike, që do të ndikojë në të gjitha aspektet e zhvillimit të saj shoqëror dhe ekonomik.