Një situatë skandaloze po zhvillohet në lagjen historike "Kala" në Elbasan, ku ndërhyrjet për vendosjen e sahateve të ujit kanë shkaktuar rrëmujë të madhe dhe dëmtime serioze në infrastrukturën rrugore. Banorët denoncojnë se sahatet po vendosen pa kriter, madje edhe para dyerve të shtëpive të tyre, duke shkelur privatësinë dhe estetikën e zonës historike. Rrugicat e ngushta, të njohura për bukurinë dhe vlerën kulturore, janë tashmë të shkatërruara, me gropa dhe kanale të hapura kudo.
Kjo situatë alarmante vjen në një kohë kur autoritetet lokale pretendojnë se janë të angazhuara për të rritur turizmin në qytet. Ironikisht, ndërhyrjet brutale po dëmtojnë një nga zonat më të vizituara dhe më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Elbasan. Për më tepër, banorët shprehen se kanalizimet janë jashtë funksionit dhe ndërhyrjet te sahatet e ujit nuk janë transparente, duke ngritur dyshime për abuzime dhe vjedhje të qëllimshme ndaj qytetarëve.
"Përshëndetje JOQ! Shikoni çfarë ndërhyrje po bëhet në lagjen Kala, Elbasan ku sahatet e ujit po vendosen para dyerve të shtëpisë. Kanë shkatërruar dhe pastetat e rrugës, janë të gjitha të hapura. Shikoni se çfarë rrëmuje është bërë, në një kohë kur kërkojnë rritjen e turizmit. Shikoni gjendjen skandaloze të Kalasë turistike, po na vendosin dhe sahatet e ujit të tjerëve para derës së shtëpisë. Jemi shumë afër portës së kalasë. Kanalizimet jashtë funksionit, bëjnë ndërhyrje te sahatet e ujit për ta vjedhur këtë popull", shprehet qytetari për JOQ
Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet për të ndalur këtë shkatërrim dhe për të kthyer lagjen "Kala" në gjendjen e mëparshme. Ata apelojnë për mbrojtjen e zonës historike dhe transparencë në çdo ndërhyrje publike që prek jetën dhe pronën e tyre.