Një i moshuar ka humbur jetën në Gramsh si pasojë e asfiksimit nga zjarret që kanë dalë jashtë kontrollit.
80-vjeçari banues në fshatin Kullollas, dyshohet se ka ndezur një zjarr në kopshtin e banesës së tij, por flakët janë përhapur masivisht edhe në vende të tjera.
Situata nga zjarret në njësinë administrative Skënderbegas, në Gramsh, është jashtëzakonisht kritike. Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar urdhër evakuimi për tre fshatra: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve zjarri që po përhapen me shpejtësi nga mëngjesi i ditës së sotme dhe kanë djegur plotësisht fshatrat Kullollas dhe Bletëz.
Mësohet se në fshatin Bulçar, një nënë me dy fëmijë ka mbetur e bllokuar në një fermë pasi janë izoluar nga flakët që janë përhapur në zonë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit.