Pas disa ditësh me temperatura përvëluese që arritën deri në 41°C, vendi ynë pritet të përjetojë një rënie graduale të të nxehtit duke nisur nga dita e enjte.
Sipas meteorologëve, temperaturat ekstreme që kanë karakterizuar fillimin e muajit gusht nuk do të rikthehen në ditët në vijim. Duke filluar nga e enjtja, temperaturat pritet të bien në 34°C dhe të premten të arrijnë deri në 32°C. Një rritje e lehtë parashikohet të shtunën, me vlera deri në 35°C.
Për ditën e mërkurë, parashikohen vlera pak më të ulëta: 39°C në zonat e ulëta, 35°C në bregdet dhe 32°C në zonat malore.
Meteorologët thonë se javën e fundit të gushtit do të ketë sërish ditë të nxehta, me temperatura që do të qëndrojnë në intervalin 35–36°C, por pa e arritur intensitetin e javëve të mëparshme.
“Nuk mund të themi se është viti më i nxehtë, por jemi ende brenda një prej viteve më të nxehta të regjistruara. 2024, në nivel global, vijon të jetë viti më i nxehtë deri tani."
Në lidhje me përhapjen e zjarreve, sipas meteorologëve faktori njeri mbetet shkaku kryesor i vatrave, dhe jo temperaturat ekstreme.
“Nuk kemi kushtet ideale për vetëndezje. Shkaku kryesor vijon të mbetet veprimi i qëllimshëm apo pakujdesia njerëzore.”
Të gjitha qarqet paraqesin rrezik të lartë për përhapje zjarresh, veçanërisht Shkodra, Lezha, Kukësi, Elbasani dhe Tirana, ku zonat jugore janë më të ekspozuara. Ndërkohë që mgjithëse vala e të nxehtit po tërhiqet, situata mbetet ende shqetësuese.