Zjarri në Gramsh po del jashtë kontrollit dhe Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin urgjent të banorëve në tre fshatra: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.
Në këto fshatra për momentin janë aktive dy vatra zjarri, por për shkak të temperaturave të larta dhe erës, flakët po përhapen me shpejtësi. Mësohet se në fshat ka persona të bllokuar, ndërsa dyshohet edhe për viktima, por për këtë nuk ka ende një konfirmim zyrtar.
Për shkak të tymit të dendur dhe flakëve që kanë rrethuar zonën, ambulancat, zjarrfikësit dhe forcat e tjera emergjente nuk kanë mundur të hyjnë në zonat më të rrezikuara.
Pritet ndërhyrje nga ajri për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit.
Banorët kërkojnë ndihmë urgjente pasi situata mbetet e rënduar dhe në zhvillim.