Shqiptarët kanë preferuar të ikin jashtë për pushime duke braktisur Shqipërinë, ndërsa turistët e huaj që vijnë për të vizituar Atdheun vijnë me "bukë me vete".
Edhe pse hyrjet e turistëve të huaj në Shqipëri kanë shënuar rritje këtë verë, sezoni bregdetar nuk po përmbush pritshmëritë e operatorëve turistikë. Profilit të turistit i është shtuar prirja drejt udhëtimeve ekonomike dhe eksplorimit të destinacioneve të reja, duke mos e preferuar pushimin tradicional me plazh.
Kjo tendencë ka sjellë një boshatisje të hoteleve gjatë javës, ndërsa fluksi rritet vetëm gjatë fundjavave. Për pasojë, shumë struktura akomoduese kanë qenë të detyruara të ulin çmimet me 10–25% e të rrisin prezencën në reklamat online.
Sipas një vlerësimi të Monitor, i bazuar në kontakte me operatorë turistikë dhe analiza të të dhënave nga Booking e Airbnb, çmimet këtë sezon janë ndjeshëm më të ulëta krahasuar me verën e kaluar. Analiza ka marrë në konsideratë çmimet mesatare më të lira dhe më të shtrenjta për struktura të kategorizuara zyrtarisht.
Pse ka rënë kërkesa për bregdetin?
Arsyet kryesore lidhen me: mungesën e turistëve nga Kosova, sidomos nga shtresa e mesme, për shkak të liberalizimit të vizave dhe zhvlerësimit të euros; largimin e pushuesve shqiptarë drejt destinacioneve më të lira jashtë vendit; ndryshimin e profilit të turistit të huaj, i cili kërkon përvoja përtej plazhit; si dhe shtimin e strukturave të reja që kanë rritur konkurrencën.
Çmimet sipas zonave bregdetare