Temperaturat 40 gradë, banorët e Dajtit pa ujë të pijshëm: Blejnë dhe mbushin bidona

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.08.2025, 10:24

Mungesa totale e ujit të pijshëm ka zhytur në një krizë të rëndë qindra banorë të lagjes “Germadh” në Njësinë Administrative Dajt, në Tiranë.

Në kushte ku temperaturat tejkalojnë 40°C, banorët thonë se po mbijetojnë duke mbushur bidona uji në lagje të tjera, pasi prej ditësh nuk kanë asnjë pikë ujë në shtëpi.

Një qytetar, kryefamiljar i 12 anëtarëve në shtëpi, ndër ta pesë fëmijë, thotë se është i detyruar të dalë çdo ditë në lagje të tjera për të siguruar ujin e nevojshëm për jetesë. Ai thotë se ka kërkuar ndihmë te deputeti i zonës dhe bashkisë, por ka marrë vetëm heshtje dhe përbuzje prej tyre.

Banorët akuzojnë autoritetet lokale dhe Bashkinë e Tiranës për neglizhencë të qëllimshme dhe diskriminim në furnizimin me ujë, duke theksuar se zona e tyre është lënë në harresë ndërkohë që lagje të tjera të qytetit furnizohen rregullisht.

“Ndërsa lagjet elitare kanë 24 orë ujë, rrugë të asfaltuara dhe ndriçim, ne këtu jetojmë si në shkretëtirë. Nuk ka ujë, nuk ka ndihmë. A ka shtet që kontrollon këta njerëz? A ka zë që na mbron?”, thotë denoncuesi.

Banorët e Dajtit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, një zgjidhje konkrete dhe mbajtjen përgjegjëse të të gjithë zyrtarëve që kanë lejuar që një krizë kaq themelore si uji i pijshëm të degradojë në një emergjencë humanitare në zemër të kryeqytetit.

Denoncimi i qytetarit:

Ju lutem, publikoni këto pamje reale nga lagjja Germadh në Njësinë Administrative Dajt, ku në këto temperatura ekstreme po vuajmë pa ujë të pijshëm prej ditësh. Kam kërkuar ndihmë disa herë nga deputeti i zonës dhe administrata e njësisë Dajt, por gjithçka është trajtuar me qeshje dhe përbuzje. Ata e dinë shumë mirë që në lagjen tonë nuk ka asnjë pikë ujë, por nuk reagojnë, sikur nuk ekzistojmë. Turp për njësinë Dajt, turp për administratën, turp për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj dhe për të gjithë ata që po vjedhin këtë popull! Ndërsa disa zona në Tiranë furnizohen 24 orë me ujë, kanë rrugë të asfaltuara dhe ndriçim, ne këtu në Germadh po mbijetojmë në mjerim total.

A ka shtet që i kontrollon këta njerëz? A ka drejtësi në këtë vend? A ka njeri me ndërgjegje që sheh çfarë po na bëhet? Ju lutem, shpërndajeni këtë mesazh – le ta dijë Kryeministri, SPAK, institucionet e drejtësisë dhe Gjykata e Hagës, nëse është e nevojshme. Po vdesim për një pikë ujë.

Unë jam familjar me 5 fëmijë, në një familje me 12 anëtarë, dhe çdo ditë dal rrugëve të Tiranës me bidona në dorë, duke kërkuar ujë për të mbajtur gjallë familjen time. A është kjo normale në vitin 2025, në kryeqytetin e Shqipërisë? Ky është një krim njerëzor dhe një turp shtetëror. Nëse dikush në këtë shtet ka ende gjak shqiptari dhe ndjen përgjegjësi, duhet të veprojë menjëherë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit