Vetëm pak ditë pas daljes nga arresti shtëpiak, kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhe Byberaj, është përfshirë në një tjetër skandal, duke shpërndarë një tender publik në mënyrë të dyshimtë. Bëhet fjalë për kontratën me objekt “Ndërtim Rruga Auto Kika – Gj. Dragobisë – Qafë Paje”, me vlerë 99.4 milionë lekë me TVSH, ku fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë BOE GRIALD & INA & VLLAZNIMI. Kompania “Vllaznimi shpk”, me 50% të bashkimit, drejtohet nga Bashkim Byberi djali i xhaxhait të kryebashkiakut çka përbën një rast të pastër konflikti interesi.
Nga 11 kompani që morën pjesë në garë, 10 janë skualifikuar me justifikime të paqarta, edhe pse kishin oferta më të ulëta. Kjo ngrenë dyshime serioze për manipulim të procesit të prokurimit publik me qëllim favorizimin e afërmve të drejtuesit lokal. Skandali thellohet më tej, pasi rruga në fjalë pritet të kalojë përmes Parkut Kombëtar të Valbonës dhe Parkut Natyror të Lumës dhe Gashit zona të mbrojtura nga ligji për vlerat e tyre të larta natyrore dhe ekologjike.
Ironikisht, ndërsa qyteti i Bajram Currit vuan nga mungesa e ujit të pijshëm dhe shumë fshatra të banuar kanë nevojë urgjente për infrastrukturë, Bashkia e Tropojës vendos të investojë miliona për një rrugë që të çon në një fshat të braktisur prej vitesh, Bradoshnicë. Ky është një shembull i qartë i shpërdorimit të fondeve publike dhe shkeljes së interesit qytetar. Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga Prokuroria dhe SPAK për të hetuar këtë rast dhe për të ndëshkuar të gjithë përgjegjësit, pa përjashtim.
![]()
![]()