Banorët e një pallati në hyrje të qytetit të Lezhës, pranë qendrës tregtare Net Center, po përballen prej ditësh me një situatë të rëndë higjieno-sanitare për shkak të derdhjes së ujërave të zeza. Sipas tyre, problemi është i përsëritur dhe i njohur prej kohësh, por nuk është marrë asnjë masë konkrete për ta zgjidhur.

Përkundër ankesave të përsëritura në bashkinë e drejtuar nga Pjerin Ndreu, institucionet përgjegjëse nuk kanë reaguar. “Përshëndetje, kjo situatë në Lezhë, ujërat e zeza. Kemi bërë disa herë ankesë në bashki, nuk përgjigjet kush. Jo që punojnë, i kanë nxjerrë jashtë makinat e pastrimit. E kemi një javë që durojmë erën. Është situatë e përhershme. Nuk merr masa kush. Në Lezhë, te pallati i poshtë qendrës tregtare Net Center, pallati i parë në hyrje të qytetit.”, shprehen banorët e pallatit të parë në hyrje të qytetit.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të riparuar rrjetin e kanalizimeve dhe për të garantuar një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm për komunitetin. Sipas tyre, kjo situatë nuk është e re, por ka vite që përsëritet pa asnjë zgjidhje afatgjatë, duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe cilësinë e jetesës.