Një banor i fshatit Borake, pranë Shijakut, ngre shqetësim serioz për ndotjen e vazhdueshme që shkakton fabrika e tullave “K.I.D-ALB sh.p.k”, e vendosur afër zonës së Maminasit. Ai tregon se fabrika operon kryesisht natën dhe tymi i dendur që lëshon përhapet në të gjitha fshatrat përreth, duke krijuar një ambient të ndotur dhe të rrezikshëm.
Sipas banorit, kjo ndotje po shkakton dëme serioze në shëndetin e banorëve, veçanërisht tek fëmijët që rriten në këtë ajër të rënduar dhe potencialisht kancerogjen. Ai shton se më datë 29 mars 2024 ka dërguar një kërkesë me shkrim drejtuar institucioneve përkatëse, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje ose ndërhyrje për të ndaluar këtë ndotje.
Banorët kërkojnë nga autoritetet përkatëse të ndërhyjnë sa më parë për të kontrolluar dhe minimizuar ndotjen e shkaktuar nga kjo fabrikë. Ata theksojnë se nuk do të ndalen derisa të marrin një përgjigje dhe një zgjidhje për këtë problem madhor që po dëmton jetën dhe të ardhmen e tyre.
Denoncimi:
Përshëndetje! Jam një banor i fshatit Borake ( Shijak) dua të ngre një shqetësim shumë serioz sa i përket ndotjes mjedisore dhe dëmit në shëndetin e banorëve të afro 10 fshatrave përreth saj. Ne afërsi të Zonës Maminas një fabrikë tullash, fabrika e Tullave K.I.D-ALB sh.p.k, operon tanimë prej vitesh dhe ndotja alarmante që bën kjo fabrikë ( kryesisht puna më voluminante kryhet natën ku tymi vërehet shumë qartazi i cili përhapet në të gjitha zonat përreth) po kërcënon seriozisht shëndetin tonë por me e rëndësishmja e fëmijëve tanë që po rriten në këtë ajer kancerogjen. Me herët me datë 29/03/2024 kemi dërguar një kërkesë me shkrim drejtuar të gjitha institucioneve por pa marrë asnjë përgjigje pozitive. Nëse do e postoni ju kërkoj t'a ruani anonim. Faleminderit