Ditën e sotme, pranë redaksisë së JOQ Albania, u raportuan tre raste të fëmijëve të humbur, brenda vetëm pak orësh në zona të ndryshme bregdetare të vendit.
Riani në zonën e Vilave në Plazh, Klarisa në Spille dhe Eliana në Zvërnec u zhdukën për disa minuta që u kthyen në orë ankthi të paimagjinueshëm për familjarët e tyre.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve dhe bashkëpunimit të gjerë pas publikimit të lajmeve nga JOQ, fëmijët u gjetën dhe u rikthyen të sigurt pranë familjeve të tyre. Një fat i mirë që nuk duhet të na lërë të qetë.
Këto ngjarje, megjithëse përfunduan me gëzim dhe përqafime, sjellin një mesazh urgjent dhe të pamohueshëm: kujdesi ndaj fëmijëve duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë. Në një mjedis të mbushur me turma, zhurmë dhe rrezik, një moment pakujdesie mund të shkaktojë pasoja të rënda.
Sot, këto histori u mbyllën me lot gëzimi, por le të na shërbejnë si një kujtesë e përditshme se fëmijët janë thesari më i çmuar që kemi. Siguria e tyre varet nga çdo sekondë vëmendjeje dhe përkushtim që ne u japim.
Kujdesi juaj është mburoja më e fortë që mund t’u ofroni.