Prej disa muajsh, anëtarë të komisioneve zgjedhore që kanë shërbyer gjatë ditës së zgjedhjeve nuk kanë marrë ende pagesat për detyrën e kryer. Megjithë përmbushjen e përgjegjësive të tyre në procesin zgjedhor, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë informacion apo sqarim zyrtar mbi arsyet e vonesës apo datën e mundshme të kryerjes së pagesës.
Kjo situatë ngre shqetësime serioze lidhur me trajtimin dhe respektimin e angazhimit qytetar në proceset demokratike. Anëtarët e komisioneve kërkojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi që të sigurojnë transparencë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj tyre.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, Kam qenë anëtare e komisionit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve dhe deri tani nuk na është kryer pagesa për punën e bërë. Kanë kaluar disa muaj dhe nuk kemi marrë asnjë informacion mbi arsyen e vonesës apo datën e pagesës. Ju lutem bëjeni publik këtë çështje që të marrim përgjigje dhe të reagojnë institucionet përkatëse. Faleminderit. Anonim ju lutem
Kjo mungesë përgjigjeje dhe vonesë në pagesa cenon besimin në institucionet zgjedhore dhe mund të demotivojë pjesëmarrjen në proceset e ardhshme demokratike.