Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një djalë 4-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një goditjeje të rëndë nga nxehtësia. Ai ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të hëne në Spitalin Gemelli të Romës, ku ishte transportuar në gjendje kritike nga Sardenja.
Fëmija, me origjinë nga Rumania, po kalonte pushimet verore në Olmedo së bashku me familjen. Sipas të dhënave paraprake, ai kishte dalë nga shtëpia në një moment pakujdesie të prindërve dhe ishte futur në makinën familjare të parkuar në diell. Kur prindërit vunë re mungesën e tij, nisën kërkimet, por e gjetën të pavetëdijshëm brenda automjetit, në kushte të rënda për shkak të temperaturave ekstreme.
Fillimisht u dërgua me urgjencë në Spitalin Santissima Annunziata në Sassari, ku u diagnostikua me dëmtime të rënda në tru si pasojë e goditjes nga nxehtësia. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ai u transferua me urgjencë në Romë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në reanimacionin pediatrik të Gemellit, nuk mundi të mbijetonte.
Burime mjekësore kanë konfirmuar se vdekja erdhi si pasojë e dëmtimeve të pakthyeshme cerebrale, të shkaktuara nga ekspozimi i zgjatur në temperaturat e larta brenda mjetit. Autoritetet italiane kanë hapur një hetim për rastin, i cili i është kaluar Prokurorisë Publike të Romës për ndjekje të mëtejshme.