Një zë i njohur i së vërtetës nga Gaza u shua përgjithmonë këtë të diel. Gazetari i Al Jazeera-s, Anas al-Sharif, u vra nga një sulm ajror izraelit mbi një tendë gazetarësh në qytetin e Gazës, duke lënë pas një testament prekës dhe një thirrje të fortë për botën që të mos harrojë kurrë popullin palestinez. Sulmi i së dielës nuk mori vetëm jetën e Anas al-Sharif. Në të njëjtin sulm u vranë edhe katër gazetarë të tjerë: Mohamed Qraiqea, Ibrahim Dahir, Moumin Alaywa dhe Mohammed Noufal.
Në mesazhin e tij të fundit, i publikuar në rrjetet sociale pas vrasjes, al-Sharif shkruante se kishte dhënë “çdo përpjekje dhe gjithë forcën” për të qenë një mbështetje dhe një zë për popullin e tij. “Shpresa ime ishte që Allahu të më zgjaste jetën, në mënyrë që të kthehesha me familjen dhe të dashurit e mi në qytetin tonë të hershëm, Asqalanin e pushtuar (Al-Majdal). Por vullneti i Allahut është i pari dhe dekretimi i Tij është përfundimtar,” shkroi ai.
Al-Sharif tregoi se kishte përjetuar dhimbje, humbje dhe vuajtje në forma të ndryshme, por asnjëherë nuk kishte hezituar të raportonte të vërtetën “pa shtrembërime dhe pa falsifikime”. Ai la pas një familje të vogël – nënën, bashkëshorten, vajzën dhe djalin – për të cilët kërkoi kujdes dhe mbështetje pas vrasjes së tij. “Nëse vdes, vdes i palëkundur në parimet e mia,” theksoi ai.
Në testamentin e tij, gazetari i vrarë u bëri thirrje të gjithëve të qëndrojnë përkrah Palestinës dhe popullit të saj, sidomos fëmijëve të pafajshëm. “Jua lë amanet Palestinën – xhevahirin në kurorën e botës myslimane, rrahjen e zemrës së çdo njeriu të lirë në këtë botë. Jua lë amanet popullin e saj, fëmijët e saj të shtypur e të pafajshëm, të cilët nuk patën kurrë kohë të ëndërronin apo të jetonin në siguri e paqe,” shkroi ai.
Ai u kërkoi njerëzve të mos lejojnë që “prangat t’i heshtin apo kufijtë t’i ndalojnë” dhe t’u bëhen ura drejt çlirimit të tokës palestineze “deri sa dielli i dinjitetit dhe lirisë të lindë mbi atdheun e vjedhur”. Mesazhin e tij e përmbylli me një lutje për t’u pranuar mes dëshmorëve dhe për faljen e mëkateve, duke shtuar: “Mos e harroni Gazën… dhe mos më harroni në lutjet tuaja të sinqerta.”