Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën pranë aksit Sarandë–Muzinë, duke avancuar drejt Parkut Natyror të Syrit të Kaltër, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në jug të vendit.
Për momentin, flakët ende nuk kanë depërtuar në zonën e mbrojtur, por rreziku mbetet i lartë. Për arsye sigurie, vizitorët janë evakuuar nga parku, ndërsa qarkullimi në rrugën Sarandë–Muzinë është ndërprerë deri në një njoftim të dytë.
Vizitorët thonë se situata e flakëve po del jashtë kontrollit, prandaj kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të forcave ajrore, pasi për shkak të terrenit të vështirë, zjarrfikësit e kanë të pamundur të ndërhyjnë.
Ndërkohë flakët po përparojnë me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta që janë shënuar ditën e sotme.