Një zjarr masiv ka përfshirë fshatin Ferraj në bashkinë e Tiranës. Sipas raportimeve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, zjarri po përhapet me shpejtësi drejt Shkallës së Tujanit, përgjatë Rrugës së Arbrit. Siç duket dhe nga pamjet e dërguar në redaksi, por dhe nga dëshmitë e banorëve, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë pyjore në malin përreth, duke krijuar një situatë tejet alarmante për banorët e zonës.
Pamjet e dërguara nga qytetarët tregojnë tym të dendur dhe flakë që po afrohen rrezikshëm pranë banesave dhe objekteve të tjera të rëndësishme, përfshirë edhe një xhami. Banorët raportojnë se deri në këto momente nuk është marrë asnjë masë konkrete për ndërhyrje nga autoritetet përkatëse.
Asnjë zjarrfikëse nuk është parë në territor, ndonëse rreziku për përhapje të flakëve drejt shtëpive të banuara është i madh. Zjarri ka mbi tre orë që është përhapur në zonën afër Dajtit, por askush nuk ka shkuar në terren për të vlerësuar gjendjen apo për të ndërhyrë. Agjencia e Mbrojtjes Civile, Bashkia e Tiranës, zjarrfikësit, Ministria e Mbrojtjes duhet të reagojnë.
Mungesa e ndërhyrjes me mjete ajrore ose tokësore ka bërë që situata të përkeqësohet ndjeshëm. Qytetarët kërkojnë ndihmë urgjente, sidomos ndërhyrje nga ajri, për të shmangur një tragjedi të mundshme. Banorët apelojnë për reagim të menjëhershëm nga autoritetet shtetërore dhe shpresojnë që zëri i tyre të dëgjohet përmes JOQ përpara se të jetë vonë.