“Burgu i Fierit nuk i dha ndihmë babait tim, fshehja e të vërtetës po e vret sërish Simon Toskën”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.08.2025, 15:41

Me lot në sy dhe zërin që i dridhet, vajza e të ndjerit Simon Toska rrëfen për TVA News momentet e dhimbshme kur mori lajmin për vdekjen e babait të saj, ndërsa ai ndodhej në vuajtje dënimi në burgun e Fierit.

Na morën në telefon në orën 5:10 të mëngjesit të 4 majit 2023. Na thanë që babai kishte vdekur. Pastaj na fikën telefonin. Nuk na dhanë asnjë sqarim. Në shtëpinë tonë u hapën dyert e mortit, por asnjë nga autoritetet nuk erdhi të na shpjegonte se çfarë kishte ndodhur. Trupi i babit u dërgua direkt në morg. Na thanë ‘infarkt akut’, por për ne nuk është kaq e thjeshtë. Ai kishte kërkuar ndihmë, por nuk i ishte bërë një kontroll i imtësishëm”, shprehet Anxhela Toska e bija e të ndjerit Simon Toska.

Familjarët dëshmojnë se më datë 3 maj 2023, Simon Toska kishte shfaqur shenja të qarta të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, përfshirë dobësi trupore. Ai kishte kërkuar ndihmë mjekësore, por i ishte dhënë vetëm një perfuzion me glukozë, bazuar në një konsultë telefonike nga mjeku i IEVP Fier, Arber Gjermeni, i cili nuk ndodhej fizikisht në institucion. Sipas infermierëve, mjeku mungonte atë ditë, ndërsa ky i fundit pretendon se nuk ka vlerësuar të rrezikshme simptomat e pacientit dhe ka udhëzuar trajtimin në distancë.

Mjeku nuk ka qenë fare aty kur babai ka kërkuar ndihmë. I kanë bërë një perfuzion me glukozë, në telefon, pa asnjë kontroll real. E pyes, si mund ta dinin që nuk kishte diabet, kur asnjëherë gjatë qëndrimit në burg nuk i ishte bërë analizë, as kontroll, asgjë?! Dëshmitë nga burgu janë kontradiktore. Disa thonë se e kanë gjetur pa ndjenja. Të tjerë thonë se e kanë çuar në spital. Disa thonë i janë bërë dy ampula, të tjerë vetëm një. Askush nuk di të thotë me siguri çfarë ndodhi në ato orë të fundit. Babi nuk kishte ankim për policët, por për stafin mjekësor ankohej gjithmonë. Më thoshte, ‘këtu nuk të prek kush me dorë’. E kam takuar për herë të fundit më 24 shkurt. Më tha që urinonte gjak, që kishte dhimbje veshkash, por nuk i kishin bërë analiza. Vetëm gjilpëra, vetëm shtyrje. Dhe më e tmerrshmja: në kartelën e tij mjekësore nuk është shënuar asgjë”, thotë Anxhela.

Sipas denoncueses, mjekja e spitalit rajonal Fier ka deklaruar se Simon Toska ka mbërritur pa shenja jete atje. Për familjen e tij, vdekja e Toskës është rezultat i neglizhencës dhe mungesës së ndihmës elementare mjekësore. E bija e të ndjerit, ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj IEVP Fier dhe prokurorisë që, sipas saj, po përpiqet të mbyllë çështjen pa zbardhur të vërtetën. Ajo i bën thirrje SPAK, institucioneve të drejtësisë dhe atyre të të drejtave të njeriut që të reagojnë dhe të mos lejojnë që kjo ngjarje të varroset bashkë me trupin e babait të saj. Familja Toska apelon për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të thelluar për rastin tragjik të Simon Toskës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit