Një aksident i rëndë është shënuar sot në aksin e vjetër Mamurras – Thumanë, ku tre persona kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ka ndodhur pas përplasjes së dy automjeteve, një prej të cilave drejtohej nga një shtetas ukrainas.
Sipas burimeve zyrtare, dy të rinj kanë pësuar dëmtime të rënda dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa një grua që udhëtonte me shtetasin e huaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, qytetarë nga zona i thanë redaksisë se në aksident është përfshirë edhe një djalë 17-vjeçar, i cili dyshohet se ka përplasur turisten ukrainase shtatzënë. Kjo e fundit është transportuar menjëherë në spital për kujdes mjekësor.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet e sakta të përplasjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.