Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në Shqipëri dhe më i madhi për nga sipërfaqja, po përballet me një situatë alarmante. Mbeturinat janë shndërruar në pjesë të përditshme të peizazhit natyror, duke rrezikuar seriozisht florën, faunën dhe bukuritë natyrore që ky park ofron.
"Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë mbeturinat e kanë puhstuar. Është parku më i madh në Shqipëri", shkruan qytetari për JOQ.
Pavarësisht rëndësisë së tij ekologjike dhe statusit si zonë e mbrojtur, në terren nuk shihet asnjë ndërhyrje nga institucionet përkatëse. Qytetarë dhe vizitorë të shumtë kanë ngritur zërin për ndotjen masive, por reagimi institucional mungon plotësisht.
Prej kohësh, mbeturinat janë shpërndarë në disa pika të parkut, duke krijuar një realitet të trishtë për një zonë që duhej të ishte simbol i ruajtjes së natyrës. Ky neglizhim i vazhdueshëm rrezikon jo vetëm mjedisin, por edhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në këtë zonë.
Në këtë rast kërkohet një reagim i menjëhershëm nga bashkia Librazhd, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Nëse uk merren masa të menjëhershme për pastrimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e parkut, dëmi mund të bëhet i parikuperueshëm.