Në kulmin e një vale të nxehti me temperatura deri në 38°C, qyteti bregdetar i Sarandës po përballet me një mungesë të rëndë të furnizimit me ujë të pijshëm, që ka prekur disa lagje kryesore dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetesën e banorëve dhe imazhin turistik të qytetit.
Lagjja nr. 3 (rruga “Gjergj Arianiti”), lagjja nr. 4 në Kodër, rruga e Bashkisë dhe rruga e 5-të janë zonat më të prekura, ku qytetarët raportojnë se nuk kanë parë ujë të rrjedhë nga rubinetat prej gjashtë ditësh. Ndërkohë, qyteti është i tejmbushur me turistë, dhe kërkesa për shërbime bazë është më e larta e vitit.
Banorët kanë akuzuar drejtorin e ujësjellësit, Amardo Goxharaj, dhe përgjegjësin lokal për Sarandën, Alban Alikaj, për favorizim të hoteleve private, të cilave u garantohet furnizim i përhershëm me ujë në këmbim të pagesave të paligjshme, ndërkohë që qytetarët mbeten pa ujë edhe për nevojat më bazike.
“Jemi detyruar të mbushim ujë me bote, nuk kemi si të lahemi, si të gatuajmë. Ndërkohë, hotelet e mëdha kanë ujë pa ndërprerje,” — tha një banore e lagjes nr. 4.
Qytetarët kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për rikthimin e furnizimit të rregullt dhe të barabartë me ujë për të gjithë banorët pasi sipas tyre çdo vonesë është e pajustifikueshme. Ata thonë se situata po ndikon drejtpërdrejt edhe në turizëm, sektor që konsiderohet shtylla kryesore e ekonomisë së zonës. Turistë të huaj janë ankuar për mungesë uji në hotele dhe apartamente, duke u përballur me një realitet që bie ndesh me pritshmëritë për standardet europiane të turizmit shqiptar.
Pavarësisht situatës alarmante, as Bashkia e Sarandës dhe as ndërmarrja e ujësjellësit nuk kanë marrë masa për përmirësimin e kësaj situate. Duhet thënë se ky nuk është rasti i parë që Saranda përballet me kriza të furnizimit me ujë në sezonin turistik, por nivelet e paaftësisë dhe abuzimit të pretenduar këtë vit kanë shkaktuar indinjatë masive.
Denoncimi i qytetarit:
"Përshëndetje, Prej disa ditësh ne lagjen nr 4 Sarandë mungon furnizimi me ujë , duke krijuar vështirësi të mëdha në jetën e përditshme të banorëve. Ndërkohë, uji po shitet kundrejt pagesave të drejtpërdrejta për biznese hoteliere, gjë që tregon shpërndarje të padrejtë dhe selektive të një shërbimi publik jetik. U jemi drejtuar edhe portaleve të tjera për denoncimin e rastit, por ende nuk kemi marrë asnjë zgjidhje. Jemi detyruar të mbushim ujë me bote për të plotësuar nevojat më bazike. Kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për rikthimin e furnizimit të rregullt dhe të barabartë me ujë për të gjithë banorët. Çdo vonesë e mëtejshme është e pajustifikueshme . Faleminderit".