Një objekt trekatësh pa leje u shemb me shpërthim të kontrolluar mëngjesin e sotëm pranë aksit Vlorë–Orikum, në zonën e Radhimës. Operacioni u zhvillua nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe forcat xheniere të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në objekt u vendosën 32 kilogramë lëndë plasëse, të cilat u lidhën përmes 1,100 metrave linearë fitil detonant dhe 410 furnelave. Për të garantuar procesin, pati bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment, si dhe një ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 15 minuta.
Por, për banorët dhe pushuesit e zonës, ky nuk ishte një mëngjes i zakonshëm. Disa prej tyre janë shprehur të indinjuar për mënyrën se si u realizua operacioni, duke denoncuar mungesën e masave të mjaftueshme të sigurisë, ndotjen e ajrit dhe ujin e detit, si dhe frikën që krijoi shpërthimi.
Mesazhi i qytetarit 1:
"Mirëmëngjes, u zgjuam të tmerruar nga tritoli sot në mëngjes në Radhimë. Mirë që u trembëm, por u ndot edhe uji. Se ku do lahen njerëzit tani..."
Mesazhi i qytetarit 2:
"Përshëndetje. Tritol në 7:30 për shembje të objektit. Nuk e di nëse është bërë nga individi apo shteti, por ndërkohë pushuesit u trembën. Për më tepër, reja e pluhurit dhe inerteve në ajër që e thithin njerëzit nuk konsiderohet. Nuk di, të kishte masa sigurie, sepse mjetet janë në qarkullim. E paimagjinueshme si veprohet kështu, ndërkohë që ka makina në qarkullim. Vlorë, Radhimë tek ish Hotel Helia."
Shembja e një objekti të paligjshëm është pjesë e aksionit të IKMT-së për lirimin e hapësirave publike, por zgjedhja e orarit dhe mënyra e ekzekutimit kanë ngjallur debat për ndikimin në turizëm dhe sigurinë e qytetarëve.