Një tentativë vjedhjeje është regjistruar sot në një dyqan këpucësh pranë tregut “Dinamo” në Tiranë. Pronari i dyqanit ka ndarë me redaksinë e JOQ Albania pamjet e kamerave të sigurisë, ku shihet momenti kur një klient përpiqet të fshehë një palë këpucë të shtrenjta poshtë pantallonave, por kapet në befasi nga shitësi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:37. Pronari tregon se iu afrua klientit për ta ndihmuar, por mbeti i habitur kur e pa duke futur këpucët tek mbathjet. Pa shkaktuar përplasje fizike, shitësi vendosi ta linte të largohej pa thirrur policinë, edhe pse e kishte kapur në flagrancë.
“Ky person ka ardhur dhe herë të tjera. Sot e kapa mat. Nuk e godita dhe nuk e njoftova policinë. Po të kishte kërkuar, do t’ia kisha dhënë, por shkoi direkt tek këpucët më të shtrenjta”, – u shpreh pronari.
Sipas tij, ka dyshime se i njëjti individ ka tentuar edhe më parë të vjedhë në këtë dyqan, por kjo është hera e parë që kapet në momentin e veprimit.