Një histori e dhimbshme, por edhe shembull i jashtëzakonshëm dashurie prindërore, vjen nga Këlcyra. Në vapën përvëluese të 39 gradëve, në anë të një rruge të ngushtë, një burrë qëndronte pranë të birit në karrocë. Ai quhet Dashnor, dhe djali i tij, Jetmir, 29 vjeç, është invalid që prej lindjes.
Dashnori tregon se jetojnë në kushte tepër të vështira, në një shtëpi të ndërtuar me llamarina. Në ditët e nxehta të verës, brenda bëhet përvëluese, ndaj ai detyrohet ta nxjerrë të birin jashtë për ta qetësuar. “Nuk duron dot të nxehtin. I pëlqen ngjyra jeshile dhe të rrijë në natyrë,” shprehet babai, duke i hedhur herë pas here një vështrim plot mall e dhimbje.
Jetmiri nuk flet dhe nuk e njeh as emrin e tij. I ati thotë se e mban në jetë vetëm dashuria për të birin, edhe pse përditshmëria është një betejë e pafund. “Rroj me borxhe. Pres dru në mal e i shes për të siguruar ndonjë të ardhur. Po gjynah djali… pa mua nuk bën dot.”
Kjo histori prekëse e publikuar nga gazetari Xhensil Shkëmbi është një thirrje për zemrat e mira që mund të ndihmojnë Dashnorin dhe Jetmirin, për t’u lehtësuar sadopak barrën e rëndë që mbajnë çdo ditë.
Për këdo që dëshiron të ndihmojë, është i lutur të kontaktojë në këtë numër telefonin0696379251 ose në redaksinë tonë.